Mbi kryet e qytetit të sotëm të Këlcyrës ngrihet një kështjellë e lashtë që dikur shërbente për të kontrolluar luginën e lumit Aos (Vjosë). Ajo mendohet, sipas arkeologëve, se i përket shekullit të tretë para Krishtit dhe ka një teknikë ndërtimore të ngjashme me atë të mjaft fortifikimeve të tjera të luginës së Drinos. Në hartën arkeologjike të Shqipërisë, ndërtimi i saj lidhet me veprimtarinë e Pirros së Epirit. Për fat të keq, gërmime arkeologjike nuk janë kryer ashtu siç edhe punimet restauruese mungojnë, çka do të thotë se rikrijimi i plotë i historisë së saj është i vështirë
Për të kuptuar rëndësinë e kësaj zone mjafton të përmendësh betejën e famshme midis Filipit V të Maqedonisë dhe romakut Titus Quinctius Flaminius ne vitin 198 para Krishtit. Ishte pikërisht kjo përballje e madhe që i dha udhë më pas shtrirjes së pushtetit romak shumë më tej deri në territoret e Greqisë së lashtë.
Sipas historianëve të lashtësisë, Filipi V kishte bllokuar grykën e lumit duke zënë në këtë mënyrë pozicionin më strategjik, që do t’i lejonte të shkatërronte ushtritë kundërshtare. Megjithatë ai nuk kish marrë parasysh ndihmën që romakëve u erdhi nga vendasit, që i treguan shtigjet e fshehta përmes të cilave trupat e Titus Quinctius Flaminius u kapën shpinën maqedonasve duke i shpartalluar…
Kështjella, sigurisht, është përdorur edhe gjatë periudhës bizantine kur këtu qëndronte një njësi administrative, por edhe ushtarake e Klisurës, e cila ashtu si në lashtësi kishte detyrë qendrore ruajtjen e zonës dhe rrugëkalimeve. Në një pjesë tjetër ndodhen edhe rrënojat e një fortifikimi mesjetar, të cilat ndërthuren me muret e lashta. Në pjesën më të madhe ajo sigurohej pikërisht nga këto mure, ndërsa në perëndim humnera u siguron një mbrojtje natyrore.
Historia e jashtëzakonshme e këtij qyteti rrotullohet me atë të kështjellës, pa harruar sigurisht edhe sarajet e rrënuara të Ali bej Këlcyrës. Deri sot ato nuk janë vënë kurrkund në funksion të vizitorëve, edhe pse kjo zonë përbën një nga resurset më të mëdha turistike shqiptare.
Nga Marin Mema